Secondary Adv

Bordi ul çmimin e naftës sërisht, zbret me 8 lekë

Bordi i Transparencës ka vendosur një ulje të re të çmimeve të karburanteve, duke reflektuar një lehtësim të përkohshëm për konsumatorët.

Bordi i Transparencës në datë 15 prill 2026 ka rishikuar sërish çmimet e karburanteve, këtë herë duke vendosur ulje për naftën dhe benzinën.

 

Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 është përcaktuar jo më shumë se 207 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është vendosur në jo më shumë se 195 lekë për litër. Krahasuar me një ditë më parë, nafta ka shënuar një ulje prej 8 lekësh për litër.

 

Edhe benzina ka pësuar ulje, ku çmimi i shitjes me pakicë është caktuar jo më shumë se 174 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në jo më shumë se 162 lekë për litër.

 

Vendimi hyn në fuqi menjëherë

Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot, më 15 prill, në orën 13:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e mëtejshme të tregut.

 

Autoritetet kanë rikujtuar detyrimin për të gjithë operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve për zbatimin e këtij vendimi, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

 

Akciza mbetet në nivel të plotë

Sipas sqarimit zyrtar, referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’”, niveli i reduktuar i akcizës aplikohet vetëm kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër ose benzina 200 lekë për litër.

 

Duke qenë se çmimet aktuale janë nën këto kufij, akciza do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë, 100%, sipas legjislacionit në fuqi.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat